Shala: Çmimi i energjisë mund të rritet deri në 20 për qind
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka paralajmëruar për FrontOnline se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë pritet të rritet.
Sipas Shalës, politikat e deritanishme qeveritare, së bashku me paralajmërimet e ZRRE dhe kërkesat e kompanive furnizuese për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara, tregojnë se një rritje e tarifave të energjisë është e pashmangshme.
Ai ka theksuar se niveli i saktë i rritjes do të varet nga vendimet që do të marrin institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe rregullimin e sektorit energjetik.
“Sa do të jetë niveli i kësaj rritjeje do të varet nga institucionet përgjegjëse që vendosin, trajtojnë dhe menaxhojnë sektorin energjetik”, ka thënë ai për FrontOnline.
Megjithatë, sipas indikacioneve aktuale që ai përmend, rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në rreth 20 për qind.

