Paga e 13-të për sektorin publik vlerësohet diskriminim për atë privat
Vendimi i Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro.
Përveç kostos buxhetore, ky vendim po shihet si diskriminues për punëtorët e sektorit privat.
Sipas tij, studimet e fundit në Kosovë tregojnë se punëtorët në sektorin publik paguhen rreth 31 për qind më shumë për orë pune sesa ata të sektorit privat.
Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, thotë se në këtë vendim duhet të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat, si mbushës të arkës së shtetit.
Diskriminuese këtë vendim e ka quajtur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
“Një padrejtësi tjetër qëndron në faktin se ata që kanë punuar vitin e kaluar në sektorin publik, por nuk vazhdojnë të punojnë më, janë të përjashtuar nga kjo pagë, ndonëse ajo jepet për punën e bërë gjatë vitit të kaluar. A mendoni se kjo është një politikë diskriminuese ndaj sektorit privat dhe atyre që nuk punojnë më?”, ka thënë ai.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë, të hënën, ku bëri të ditur se më 31 mars do të ekzekutohet paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik, ka treguar edhe mënyrën e zbatimit të saj.
“Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë”, ka thënë Murati.
E në fillim të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë në përgatitje të një pakoje kundër inflacionit, që do t’iu vihet në ndihmë edhe punëtorëve të sektorit privat.
Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe është përfshirë në buxhetin e vitit 2026.

