‘Veturat me xhama të zinj’ – tani lejohen, por ka një tarifë
Në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK) tashmë ka nisur të lëshohen vërtetimet për modifikimet në xhamat e veturave, sipas procedurës së A-TEST-it.
Procedura, e cila rregullon me dokumentacion errësimin e xhamave të pasëm në automjete, hyri në fuqi më 1 prill.
Para se të hynte në fuqi kjo rregullore, vendosja e xhamave të zinj në automjete, nëse ata nuk ishin nga prodhuesi, sanksionohej me gjobë.
Vërtetimi i përputhshmërisë së xhamave me standardet e lejuara, i cili ka nisur të zhvillohet në QAK, kushton 80 euro.
Para vitit 2024, vendosja e folieve të zeza në vetura, të cilat humbin dukshmërinë brenda automjeteve, nuk ishte e lejuar me ligj.
Ndalimi bazohej në një akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe dënohej me gjobë prej 40 euro.

