Gruda: Nuk i besojmë Albin Kurtit, prandaj i duam dy emra për president
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përpardim Gruda ka thënë se subjekti i tij dëshiron ta ketë të drejtën e propozimit të dy emrave si kandidatë për president të vendit.
Sipas tij, PDK-ja e ka një kërkesë të tillë për shkak se nuk i beson Albin Kurtit.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Gruda ka treguar arsyen pse PDK e ka një kërkesë të tillë.
“E vërteta është kjo. Pse i duam dy emra? I duam sepse nuk i besojmë Albin Kurtit. Se nëse një e propozojmë ne, Vetëvendosje një tjetër, Albin Kurti në votim të fshehtë mund t`u thotë deputetëve të vet, votone kandidatin tonë”, ka thënë Gruda.
Deputeti i PDK-së ka shtuar se takimet dhe dakordimet rreth emrit do të duhej të përfundonin para seancës dhe të njoftohej opinioni.
Ai ka thënë se ka pasur tendenca nga VV-ja për t’u takuar, por që një gjë të tillë, sipas tij, e kanë kërkuar pa dërguar ftesë zyrtare.

