Vitia, shembull i mirë i trajtimit të punëtorëve shëndetësorë, Gjilani duhet të marrë mësim nga komuna fqinje
Asnjë Komunë tjetër në Kosovë, sikur Vitia nuk i trajton me aq dinjitet punëtorët shëndetësorë, si me rastin e diplomimit, gjatë viteve të punës, ashtu edhe me rastin e pensionimit.
Në Viti, mjekët e rinj nuk presin për punë asnjë ditë. Ata angazhohen menjëherë sapo të diplomohen.
Komuna e Gjilanit, ndërkaq, i trajton si mos më keq mjekët, duke i lënë të presin me vite ata që nuk vijnë nga rrethi i tyre familjar apo partiak.
Edhe një kontratë për blerje të shërbimeve me Kosova Med, e lidhur për dy vite, e ndërprenë në gjysmë.
Komuna e Vitisë vazhdon të jetë shembull i mirë edhe me rastin e pensionimit të punëtorëve shëndetësorë, duke i përcjellë ata në mënyrë meritore.
Një përcjellje e tillë i është organizuar sot edhe znj. Mehra Gashi, e cila shërbeu në shëndetësinë e këtushme për më shumë se 43 vite.
Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Halil Musliu, drejtoreshën e QKMF, Vjollca Kadolli dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë vlerësuar lart kontributin e çmuar profesional, përkushtimin institucional dhe kujdesin e vazhdueshëm të znj Gashi ndaj qytetarëve.
“Profesionistë të tillë kanë luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunën e Vitisë”, theksoi Haliti.
Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin e saj shumëvjeçar, znj. Mehra Gashi u nderua me mirënjohje institucionale nga Komuna./Mediafokus

