Figura letrare e shkencore e Sherafedin Kadriut
Sabit RRUSTEMI
Sherafedin Kadriu ishte dhe mbetet një figurë të rëndësishme në fushën e arsimit, krijimtarisë letrare e studimore si dhe të trashëgimisë kulturore e materiale të Rajonit të Gjilanit.
Veprimtaria e tij publike ishte e shumëllojshme dhe tejet cilësore në mësimdhënie, në kërkimin shkencor, në kritikën letrare, në publicistikë dhe në dokumentimin e trashëgimisë kulturore.
Përmes punës së tij shumëvjeçare dhe përgatitjes solide profesionale, ai ka kontribuar në pasurimin e fondit kulturor – letrar dhe shkencor të hapësirës shqiptare, veçanërisht në Kosovë.
***
U lind më 16 shtator 1961 në Pogragjë të Gjilanit. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, përkatësisht në Gjilan, ku kkreu dhe Akademinë Pedagogjike, drejtimi gjuhë shqipe.
Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, përmes sistemit me korrespondencë, duke dëshmuar një angazhim të vazhdueshëm për formim professional, paralel me punën si mësimdhënës.
Më vonë, thelloi interesimin e tij për trashëgiminë historike dhe materiale, në Universitetin shtetëror të Tiranës, duke përfunduar studimet e Masterit Shkencor në Arkeologji, me specializim në Prehistori, ku fitoi dhe titullin arkeolog.
***
Për një periudhë të gjatë prej dy dekadash Sherafedin Kadriu ushtroi profesionin e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në disa shkolla të Gjilanit, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj dhe në kultivimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Në fund të vitit 2004, u bë pjesë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Gjilan, si bashkëpunëtor profesional për trashëgimin kulturore dhe hulumtimet arkeologjike në krahinëmn e Anamoravës.
Përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Ai u angazhua në dokumentimin, hulumtimin dhe ruajtjen e kësaj trashëgimie, duke dhënë një kontribut të çmuar në evidentimin e vlerave lokale dhe rajonale.
***
Në fushën e letërsisë, Sherafedin Kadriu kontribuoi me dy vepra me vështrime kritike, një përmbledhje poetike dhe në fushën e publicistikës, një monografi si bashkautor.
Krijimtaria e tij në fushën e kritikës letrare shquhet nga prirja për analizë të thelluar të tekstit letrar, si dhe reflektimi mbi dimensionet estetike të letërsisëë bashkëkohore.
Veprat e tij kryesore në këtë fushë janë:
• Në kërkim të thellësive poetike, Sh. B. “Beqir Musliu”, Gjilan, 2021
• Në kërkim të thellësive poetike 2, Sh. B. “Rozafa”, Prishtinë, 2024
• Rrugëtimi i një bashkatdhetari (bashkautor me Sabit Rrustemin), monografi, Sh. B. “Beqir Musliu”, Gjilan, 2020
• Kur vdesin ngjyrat, përmbledhje poetike, Sh. B. “Beqir Musliu”, Gjilan, 2025
Përmes këtyre botimeve, autori shfaq një qasje të qartë analitike sidomos ndaj poezisë dhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj gjuhës dhe simbolikës letrare.
Në studimet kritike letrare, ai synon të zbulojë shtresimet e brendshme të tekstit poetik dhe raportin e tij me kohën dhe shoqërinë.
***
Një pjesë e rëndësishme e punës së tij i kushtohet trashëgimisë kulturore dhe materiale, ku ai ka ndërthurur njohuritë filologjike me ato arkeologjike, prej të cilave kanë rezultuar disa botime të rëndësishme dhe me shumë interes nga kjo fushë, si:
• Kalaja e Pogragjës, Gjilan, 2008
• Riti i varrimit gjatë epokës së hekurit në Kosovë, Gjilan, 2019
• Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë, Gjilan, 2021
Në këto botime nismëtare për këtë pjesë të Kosovës, autori trajton me kujdes aspektet historike dhe arkeologjike, duke kontribuar në dokumentimin shkencor të një trashëgimie që rrezikonte të mbetej në harresë.
***
Sherafedin Kadriu u bë pjesë edhe në disa botime kolektive dhe monografi shkencore, duke kontribuar me punime individuale dhe bashkëautoriale.
• Në monografinë Gjilani me rrethinë (2012), me punimin “Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë”
• Në veprën Trashëgimia kulturore e Rajonit të Gjilanit 1 (2016), me 60 punime, prej të cilave 6 si bashkautor
• Në veprën Trashëgimia kulturore e Rajonit të Gjilanit 2 (2018), me 65 punime, prej të cilave 2 si bashkautor
Këto pjesëmarrje dëshmojnë për një angazhim të vazhdueshëm në dokumentimin dhe studimin e trashëgimisë kulturore të rajonit të Gjilanit, në dy dekadat e fundit të jetës dhe veprimtarisë së tij, përkundër shëndetit dhe përballjes me sëmundjen që s’i shqitej.
***
Në fushën e publicistikës dhe veprimtarisë humanitare, ai është bashkautor i veprës:
• Kohëngjeshje bamirësie, SHHB “Nënë Tereza”, Dega në Gjilan, 2000
Gjithashtu, ka redaktuar, recensuar dhe lekturuar një numër të konsiderueshëm katalogësh, librash dhe studimesh në fushën e trashëgimisë shpirtërore dhe materiale, të botuara nga QRTK Gjilan.
Ky angazhim tregon një rol të rëndësishëm jo vetëm si autor, por edhe si mbështetës i punës së autorëve të tjerë.
***
Në dorëshkrim ai la disa projekte me karakter letrar dhe publicistik, ndër to:
• Ngutje e vonuar (publicistikë)
• Si soset jeta – Karantina me kancerin (ditar personal)
• Rrëfenja nga Brinja (intervista me veprimtarë atdhetarë)
• Vala flet me gurgullima (poezi për fëmijë, në bashkëpunim me rrëfime dhe përjetime familjare)
Këto dorëshkrime dëshmojnë për një autor që nuk e ndal kërkimin dhe shkrimin, edhe në periudha të vështira të jetës personale.
***
Një vëmendje të veçantë ai i ka kushtuar edhe trashëgimisë gojore të Rajonit të Gjilanit, duke mbledhur anekdota, rrëfenja dhe materiale etnografike me vlerë dokumentuese.
Dëshmi e këtij përkushtimi janë edhe këto dy dorëshkrime:
• Anekdota dhe rrëfenja nga Rajoni i Gjilanit
• Gjilani dhe Gjinollët (interpretime arkeologjike-historike)
***
Me një fjalë, Sherafedin Kadriu përbën një ndërthurje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme gjatë gjithë veprimtarisë së tij publike, midis mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe krijimtarisë letrare.
Prandaj dhei mbetet një figurë e rëndësishme në fushën e mendimit kritik, në krijimtarinë letrare dhe atë të trashëgimisë kulturore të Kosovës, e cila shquhet për nga vlera artistike po dhe ajo dokumentuese.
Gjilan, 18 prill 2026
___________________
(Fotografi e datës 17 qershor 2020, periudha kur isha pjesë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Gjilanit, si koordinator komunal).

