“Tik tak” deputeti i LDK-së ndan fotografi me Vjosa Osmanin, çka po paralajmëron

Tri ditë përpara se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se mund ta propozojë edhe Vjosa Osmanin, nëse LVV-ja i garanton 66 vota për të.  Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë ofertë Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike që të ofrojnë tre kandidatë, me zotimin se do të votohet njëri nga ta. PDK-ja e refuzoi këtë ofertë.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka rikthyer dy fotografi me Vjosa Osmanin.

Mustafa ka shkruar vetëm “Tik-tak… ” mbi fotografitë që ka rishpërndarë. Ky postim i Mustafës ishte bërë pak para zgjedhjeve të 2019, atëherë kur Osmani kishte qenë pjesë e listës së LDK-së, si kandidate për kryeministre.

LDK-ja tashmë ka pranuar se  synon kthimin ose përafrimin me Vjosa Osmanin.

Kreu i partisë, Lumir Abdixhiku gjatë kësaj jave ka thënë se për këtë do të punoj deri në ditën e fundit dhe se përafrimi me Osmanin do të ishte një lajm i mirë edhe për Kosovën edhe për partinë.

“Përafrimi është i mirë për Kosovën, dhe është qëllimi im. Do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”, tha Abdixhiku gjatë javës.