Abdixhiku mbledh partinë, raportohet se sot zyrtarizohet bashkimi me Osmanin
Anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve të Lidhjes Demokratike vendosin sot me votë për bashkimin me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Mbledhja ku do të miratohet marrëveshja e arritur nga kryetari Lumir Abdixhiku me ish-presidenten, mbahet të martën në orën 16:00, ka mësuar Paparaci nga burime të afërta me LDK-në.
Paparaci merr vesh se anëtarësia e LDK-së është pro bashkimit me Osmanin për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Zyrtarizimi i marrëveshjes vjen disa ditë pas takimit mes Abdixhikut dhe Osmanit në një restorant në Prishtinë, ku palët u pajtuan për atë që është proklamuar si “bashkimi i madh i LDK-së”.
Ka disa javë prej se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur iniciativën për bashkimin e LDK-së, të cilin shpesheherë e ka etiketuar si “bashkimi i të djathtës politike”.
Në thelb, nisma e Lumir Abdixhikut synon ribashkimin nën ombrellën e LDK-së të njerëzve të larguar nga partia gjatë viteve të fundit, me një pjesë të madhe që kishte kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Rreth dy javë më parë, në mesin e procesit politik të zgjedhjes së presidentit, Abdixhiku tha se fokusi kryesor i tij ishte përqendruar pikërisht te nisma rreth “bashkimit të së djathtës” nën një strehë politike.
Ish-presidentja Osmani është emri që peshon më së rëndi nga të larguarit nga LDK-ja.
Ajo pritet të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës gati shtatë vjet pasi e braktisi partinë për shkak të mosmarrëveshjeve me lidershipin e asokohshëm.
Osmani mbetet gruaja më e votuar në histori të Kosovës në zgjedhje parlamentare, pasi në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021 – si bartëse e listës së koalicionit LVV-Guxo – siguroi 300 mijë vota.

