Harresa institucionale për mësuesit e sakrificës

Sabedin Sherifi

Vdekja e mësuesit Hafiz Hasani nuk ishte vetëm humbja e një njeriu të mirë, por edhe largimi i një brezi të tërë mësuesish që mbajtën gjallë arsimin shqip në ditët më të errëta të historisë sonë.

Ai ishte ndër ata njerëz që në vitet e nëntëdhjeta, kur shkolla shqipe luftonte për mbijetesë nën okupim, nuk u dorëzua.

Ishte nga ata mësues që punuan pa paga, pa siguri, pa mbështetje institucionale, por me një ideal të madh – që gjuha shqipe të mos vdiste dhe që fëmijët shqiptarë të vazhdonin të mësonin në gjuhën e tyre.

Sot, kur kujtojmë jetën dhe veprën e tij, mbetet një dhimbje tjetër që rëndon mbi ndërgjegjen tonë kolektive: harresa institucionale.

Në varrimin e mësuesit Hafiz Hasani, në vendlindnen e tij, në Vërbicë të Zhegocit, munguan pikërisht ata që dikur rrihnin gjoks për arsimin shqip, munguan ata që sot mbajnë poste e institucione falë sakrificës së njerëzve si ai.

Nuk pati as një përfaqësues dinjitoz institucional, nuk pati as një fjalë mirënjohjeje publike, e madje as një lule në emër të atyre që sot drejtojnë arsimin.

Drejtoria e Arsimit në Gjilan, si duket, ndodhet në një kllapi institucionale, ku harrohet lehtë se dikur kishte njerëz që ruanin shkollën shqipe me jetën e tyre.

Harrohet se para zyrave të ngrohta e pagave të sigurta, kishte mësues që sakrifikonin gjithçka vetëm që një klasë të mos mbyllej dhe një fëmijë të mos mbetej pa mësim në gjuhën amtare.

Por mësuesi Hafiz Hasani u varros edhe pa ju. Ai nuk ishte vetëm. Pranë trupit të tij qëndruan kolegët e dikurshëm, miqtë, familjarët dhe qindra njerëz që e deshën dhe e respektuan.

Ata iu përkulën me dinjitet njeriut që gjithë jetën ia kushtoi dijes dhe kombit të vet.

Ata dëshmuan se respekti i popullit vlen më shumë se heshtja e institucioneve.

Historia nuk i harron njerëzit e sakrificës. Mund t’i harrojnë zyrat, mund t’i anashkalojnë institucionet, por populli gjithmonë do t’i kujtojë ata që mbajtën gjallë dritën e arsimit në kohët e errëta.

Dhe emri i mësuesit Hafiz Hasani do të mbetet ndër ata emra që nuk maten me dekorata e protokolle, por me respektin dhe mirënjohjen e brezave që ai ndihmoi të rriten e të edukohen.

Lavdi jetës dhe veprës së mësuesit Hafiz Hasani.