Avdush Canaj: Degët me vjersha
ti s’je dru, mollë
ti je pallat degësh
me njëqind ballkone
ku këndon vera
je pikturë luharesh
në maje gishtërinjsh
vjen era
kolovit ëndrrat e gjetheve
nën hijën tënde
kur ma shtrinë dorën gjumi
zogu yt më mbulon me flatër
të mos ftohem
as kolla të mos më zë
hëna të do si unë
shpesh harron kapelën te ti
ti ia ruan mirë
s`ma jep as mua
degët i ke me vjersha
të ëmbla
mollë e kopshtit

