Sa para ua kërkonin familjarëve të pacientëve dy kirurgët në Spitalin e Vushtrrisë?

Një aksion i madh i hetuesve të krimeve ekonomike ka çuar në arrestimin e dy kirurgëve të Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, të cilët dyshohen se për muaj me radhë kanë marrë para nga pacientët dhe familjarët e tyre në këmbim të shërbimeve mjekësore, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Sipas informatave, hetimi ishte zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), respektivisht Njësia Rajonale në Mitrovicën e Jugut, pas informatave të siguruara nga burime të jashtme.

Sinjali mëson se dyshimet kishin të bënin me Repartin e Kirurgjisë në Spitalin “Sheikh Zayed”, ku dyshohej se personeli pranonte para nga pacientët dhe familjarët e tyre për shërbimet e kryera.

Më 5 shkurt 2026, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte kërkuar masa të veçanta hetimore, ndërsa më 12 shkurt Gjykata kishte aprovuar: vëzhgim të fshehtë fotografik, incizime audio-video në ambiente private, dhe monitorim të fshehtë të bisedave.

Sipas dosjes hetimore, gjatë periudhës tremujore të përgjimeve dhe incizimeve, hetuesit kanë siguruar materiale audio dhe video ku dy kirurgët dyshohet se kanë pranuar shuma të ndryshme parash – nga 50 deri në 300 euro – nga familjarët e pacientëve.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuarit janë arrestuar më 13 maj 2026 me urdhër të Prokurorit të rastit.

Ata po hetohen për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Marrje e ryshfetit”.

Pas intervistimit në prezencë të avokatëve, me aktvendim të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.