Malisheva e kundështon vendosjen e deponisë së mbeturinave inerte në afëri të fshatit

Në Kuvendin e Gjilanit, sot pritet të miratohet vendimi për deponinë e mbeturinave inerte në fshatin Malishevë.

Ndaj këtij propozimi ka reaguar këshiltari komunal Riad Rashiti (PDK), i cili vjen nga ky fshat. Ai është edhe kryetar i Degës së PDK në Gjilan.

Reagimi i plotë

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka propozuar që Kuvendi Komunal të marrë vendim për krijimin e një deponie të mbeturinave inerte në fshatin Malishevë, në vendin e quajtur “Prrunishtë”, pa asnjë njoftim dhe pa asnjë konsultim publik me banorët e fshatit.

Ky lokacion është jetik për banorët e Malishevës, sepse në atë zonë furnizohet me ujë i gjithë fshati përmes dhjetëra puseve familjare, si dhe rrjeti i ujësjellësit që shërben për mbi 800 shtëpi të fshatit.

Ky propozim-vendim është skandaloz, i papranueshëm dhe i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e banorëve të Malishevës, por edhe e shkatërron ambientin në pjesën më të bukur të fshatit. Si i tillë, ai do të kundërshtohet me të gjitha format demokratike dhe organizative.

Sot, në seancën e Kuvendit Komunal, ne si PDK do ta kundërshtojmë fuqishëm miratimin e këtij vendimi dhe do të kërkojmë përkrahjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal dhe të gjitha subjekteve politike, që të mos lejojnë miratimin e një vendimi të padrejtë dhe të dëmshëm për banorët e Malishevës.