Votojnë shqiparët në Mbretninë e Bashkuar, Lutfi Haziri i falënderon për mbeshtetjen

GAZETA E LONDRES – Shqiptarët e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar votojnë në Ambasadën e Kosovës në Londër

Shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar i janë drejtuar sot kutive të votimit në rezidencën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Londër, ku po shprehin vullnetin e tyre për zgjedhjen e deputetëve të Kuvendit të ri të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, 1,395 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në ambasadë.

Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, korrekte dhe pa asnjë problem të raportuar deri tani.

Sipas informacioneve nga përfaqësuesit politikë dhe komisioni zgjedhor në Londër, deri në mesditë kanë votuar mbi 40 për qind e votuesve të regjistruar.

Sot, më 6 qershor 2026, në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po zhvillohet votimi për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00 sipas kohës lokale të secilit shtet.

Në total, 27,724 votues të regjistruar do të mund të votojnë në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës.

Në listat e votimit janë përfshirë vetëm shtetasit që, gjatë periudhës së regjistrimit nga 6 deri më 17 maj 2026, zgjodhën votimin fizik në ambasada dhe konsullata.

Procesi i votimit po zhvillohet në 47 vendvotime të vendosura në 17 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës, të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 09:00 kishin votuar 11.24 për qind e votuesve të regjistruar.

Në qendrën e votimit pranë ambasadës së Kosovës në Londër, rreth orës 14:00 ka votuar edhe kryetari i LDK për degën e Mbretërisë së Bashkuar, zoti Semi Sylejmani i cili na informoj se deri në ato momente, sipas komisionit të zgjedhjeve kanë votuar mbi 690 persona, pra mbi 50% që ishin në listën për të votuar fizikisht në dy qendrat e votimit në MB.

Ndërkohë, nesër qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të shpallura pas dështimit të forcave politike për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, pas përfundimit të mandatit të Presidentes Vjosa Osmani.

Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare që mbahen në Kosovë brenda vetëm 16 muajve, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor i kalon 2 milionë votues, rreth 16 mijë më shumë se në zgjedhjet e fundvitit të kaluar.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën pasi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë konsensusin e nevojshëm me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës, çka çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja.