SHBA-ja paralajmëron “përshtatje të kontributit” në KFOR

Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, në kuadër të një procesi më të gjerë të rishikimit të pranisë ushtarake të Aleancës në vend.

Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila rekomandoi përshtatjen e trupave në terren.

“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e Forcës së Kosovës (KFOR). Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje – në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut – të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me këtë rishikim të udhëhequr nga SHAPE”, tha zyrtari i EUCOM-it për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë KFOR-in një komponent kyç të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë detaje për natyrën apo përmasën e ndryshimeve të mundshme.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga mbi 4.600 trupa nga 31 vende.

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it – një ulje e ndjeshme krahasuar me mbi 5.000 trupat e vendosura në vitin 1999, kur misioni u krijua pas përfundimit të luftës.

Që nga ajo kohë, SHBA-ja ka edhe kampin Bondsteel pranë Ferizajt, që konsiderohet baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.

Debati për rishikimin e mundshëm të pranisë amerikane në Kosovë nisi qysh në fillim të vitit të kaluar, kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Analisti Mark Montgomery, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo reduktim i pranisë amerikane në KFOR do të ishte “shumë destabilizues”, pasi do ta largonte SHBA-në nga “pika më e mundshme e tensioneve” – kufiri Kosovë-Serbi – dhe do të dërgonte sinjal se Uashingtoni po tërhiqet nga roli i sigurisë./REL