Profesoresha nga Kosova, dr Milote Sadiku, ligjëron në Universitetin e Regensburgut në Gjermani

Profesoresha nga Kosova, dr Milote Sadiku ka mbajtur një ligjëratë në Universitetin e Regensburgut në Gjermani, në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar dhe shkëmbimit të përvojave akademike, transmeton albinfo.ch.

Ligjërata u zhvillua para studentëve të programit “Gjermanishtja si gjuhë e dytë / gjuhë e huaj” (DaZ/DaF), duke ofruar një mundësi të rëndësishme për diskutim, shkëmbim njohurish dhe perspektivash ndërkulturore mes studentëve dhe stafit akademik të universitetit gjerman.

Sipas njoftimit të Fakultetit të Filologjisë, aktiviteti u zhvillua në një atmosferë të shkëlqyer akademike dhe kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.

Fakulteti ka shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe bashkëpunimin e Universitetit të Regensburgut, duke vlerësuar rëndësinë e këtyre shkëmbimeve për zhvillimin profesional dhe akademik të stafit dhe studentëve.

Një falënderim i veçantë iu adresua edhe profesoreshës Blertë Ismajli, e cila gjatë semestrit veror 2026 po qëndron si ligjëruese mysafire në Universitetin e Regensburgut, duke kontribuar në thellimin e lidhjeve akademike ndërmjet dy institucioneve.

Pjesëmarrja e profesoreshës Milote Sadiku në këtë aktivitet përbën një tjetër dëshmi të angazhimit të akademikëve kosovarë në arenën ndërkombëtare dhe të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.