Bujar Ramadani – Lalushi, një zemër që rrahu fort për Dritën

Shkruan: Ismajl Veliu

Bujar Ramadani – Lalushi ka qenë një futbollist tjetër i shkëlqyer i qytetit të Gjilanit dhe mbi të gjitha një njeri me vlera të larta sportive.

Ai ishte ndër lojtarët më të dalluar të KF Drita, të cilës i shërbeu me përkushtim për dekada të tëra.

Si qendërmbrojtës, Bujari shquhej për forcën, sigurinë dhe karakterin e tij të pathyeshëm, ndaj me të drejtë njihej si “lojtari i çeliktë”.

Me fizikun e tij imponues dhe lojën e mençur, ai ishte gjithmonë një mur i pakalueshëm për kundërshtarët dhe një mbështetje e madhe për ekipin.

I respektuar nga bashkëlojtarët, trajnerët dhe tifozët, Bujari mbajti për shumë vite edhe shiritin e kapitenit, duke udhëhequr klubin bardh e kaltër me dinjitet, përgjegjësi dhe dashuri të pashtershme për fanellën e shenjtë të Dritës.

Veçanërisht në periudhat e vështira të viteve 1990, e sidomos rreth vitit 1995, kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm.

Lalushi nuk kurseu asgjë nga vetja për klubin që e deshi aq shumë.

Edhe kur shëndeti i tij filloi të dobësohej, zemra e tij vazhdonte të rrihte për Dritën.

Sa herë që takoheshim, me krenari dhe emocione fliste për klubin bardh e kaltër dhe kujtonte me mall ditët e lavdisë.

Sot, me respekt dhe mirënjohje të thellë, kujtojmë jo vetëm futbollistin e madh, por edhe njeriun fisnik që la gjurmë të pashlyeshme në sportin dhe qytetin tonë.

Bujar Ramadani – Lalushi do të jetojë përgjithmonë në kujtimet tona, me krenari dhe dinjitet, për gjithçka që i dha KF Drita dhe futbollit gjilanas.