Çmimi prej 17 centësh për grurin është i papranueshëm për bujqit

Këtë muaj kanë nisur korrje-shirjet në mbarë vendin, duke shënuar fillimin e një prej periudhave më të rëndësishme të sezonit bujqësor.

Kryetari i Sindikatës së Bujqve, Tahir Tahiri, në një intervistë për Ekonomia Online tha se fushata e sivjetme e korrje-shirjeve po zhvillohet mirë dhe se rendimentet e grurit janë të kënaqshme, por ka ngritur shqetësimin për çmimin e ulët të grurit, i cili është i papranueshëm për prodhuesit vendorë.

“Problem i cili është tepër shqetësues te prodhuesit e grurit është çmimi tepër i ulët. Mullinjtë të cilët e grumbullojnë grurin e prodhimtarisë vendore kanë shoqatat e tyre, të cilët e kanë caktuar një çmim tepër të ulët: 17 cent. Zyrtarisht e kemi informatën se është caktuar një çmim 17 cent, e që për prodhuesit e grurit është e paarsyeshme, krejtësisht e papranueshme”, ka thënë ai.

Tahiri ka deklaruar se para fillimit të fushatës së korrje-shirjeve gruri është importuar me një çmim prej 24 centësh.

“Bujqit janë të shqetësuar se dy-tri javë para fushatës së korrje-shirjeve, kompanitë të cilat e bëjnë përpunimin e grurit kanë marrë grurë nga importi, konkretisht nga Serbia, me çmime 24 cent. Dhe në mënyrë rapide kur fillon fushata e korrje-shirjeve këtu te ne, aty bie çmimi, dhe tek e fundit në mënyrë të çuditshme thirren në bursë. Nuk është e vërtetë se bursa e ka caktuar atë, gjithsesi është në bursë një çmim i tillë, por këtu po manipulohet. E kanë monopolin kompanitë përpunuese të miellit, të cilët po luajnë me fatin e prodhuesve të grurit dhe në këtë mënyrë po i dëmtojnë. Duke ju falënderuar subvencioneve, deri diku bujqit po mbulohen, për mos me punuar krejt me humbje”, tha Tahiri për Ekonomia Online.