Qytetari i gjorë e mbron partinë edhe kur ajo merr vendime që dëmtojnë mirëqenien e tij

Selatin Mehmeti

Është gjynah prej qytetarit sa me emocione dhe seriozitet e merr politikën dhe politikanët.

I gjori, seriozisht beson se këta politikanë janë aty për qytetarin.

Qytetari e bën luftën për pushtetin e tyre.

Prishet edhe me vëllanë shkaku i partisë politike.

Prishet edhe me mikun e shtëpisë, mikun e çarshisë dhe kolegun e punës.

Edhe pse e ka rrogën e vogël, lufton çdo ditë për partinë e vet: në shtëpi, në punë, në kafe, madje edhe kur është duke pritur në rend te mjeku për t’ia caktuar një termin për stentim.

E mbron partinë edhe pse radha i vjen pas dy vjetësh.

E mbron partinë edhe në barnatore.

Nëse ndonjë pacient ankohet për mungesën e barnave në spital ose detyrohet t’i blejë vetë, qytetari prapë e mbron partinë.

E mbron partinë edhe kur fëmija i tij nuk e kalon testin e arritshmërisë apo të pjekurisë; fajin ia lë mësuesit.

E mbron partinë edhe kur i bëhet padrejtësi në gjykatë, në polici apo në ndonjë institucion tjetër.

E mbron partinë edhe kur ajo merr vendime që dëmtojnë mirëqenien e tij.

Madje e mbron edhe hajnin, vetëm pse është i partisë së tij.

Do të ishte e kuptueshme sikur të jetonim në kohën e monizmit, si në kohën e Enver Hoxhës, kur njerëzit kishin frikë.

Por në rastin tonë është e çuditshme: nuk frikësohet nga askush, nuk ka as ndonjë interes personal, e prapëseprapë e mbron partinë me fanatizëm.

Me të vërtetë është gjynah prej qytetarit se sa seriozisht e merr politikën në Kosovë, ndërsa politikanëve, në fund të fundit, nuk u bëhet vonë për asgjë.

Qytetari i gjorë beson dhe shpreson se do te kemi institucione.

Qytetari edhe nëse nuk bëhen këto institucione do të vazhdojë ta mbrojë partinë.