Shtime, 3-vjeçari humb jetën pasi u ngulfat me një copë mishi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Shtime, ku një fëmijë 3-vjeç ka humbur jetën.

Dyshohet se fëmija u ngulfat me një copë mishi, raporton Sinjali.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së familjes, derisa ata po përgatitnin një grill.

Në një moment, dyshohet se fëmija kishte marrë një copë mishi, e cila i bllokoi rrugët e frymëmarrjes.

Familjarët kanë tentuar menjëherë t’i japin ndihmën e parë dhe më pas e kanë dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Shtime.

Mjekët kanë arritur ta largojnë copën e mishit nga rrugët e frymëmarrjes, por fëmija kishte mbërritur pa puls dhe pa shenja jete.

Më pas ai është transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Ferizaj, ku ekipet mjekësore kanë vazhduar përpjekjet për reanimim, por pa sukses.

Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.