Policia në Gjilan del me apel: Respektojeni rendin dhe qetësinë publike gjatë orëve të natës
Policia në Gjilan, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe krijimit të një ambienti të sigurt e të qetë për të gjithë, apelon te qytetarët dhe subjektet afariste që gjatë orëve të natës të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme e cila mund të shqetësojë banorët përreth apo personat e tjerë.
Sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, zhurma e panevojshme dhe e padurueshme që dëgjohet nga banorët përreth apo në rrugë dhe që shqetëson personat e tjerë, gjatë orareve të përcaktuara me ligj, përbën kundërvajtje dhe ndëshkohet me gjobë.
Në lidhje me këtë çështje nga njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan tashmë janë shqiptuar gjoba ndaj personave që janë hasur duke mos e respektuar këtë ligj.
Policia do të vazhdojë me kontrolle në funksion të parandalimit dhe trajtimit të rasteve të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore, thuhet në njoftim.

