Rama i reagon ashpër Gjuriqit: Kosova është Republikë sovrane, territori i saj nuk është i Serbisë

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pas debatit të ndezur mes Tiranës dhe Beogradit për lumin Ibër, duke kundërshtuar ashpër përfshirjen e konceptit të “Shqipërisë së Madhe” në diskutimet për Kosovën.

Në reagimin e tij, Rama e cilëson si të vjetëruar këtë argument të politikës serbe dhe thekson se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, ndërsa mbështetja e saj për Kosovën, sipas tij, lidhet me njohjen e Kosovës si shtet dhe me të drejtën e qytetarëve të saj për të përcaktuar të ardhmen.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk na nevojitet një ‘Shqipëri e Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, shprehet Rama.

Debati nisi pas diskutimeve për lumin Ibër dhe mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij, çështje për të cilën ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, kishte shprehur shqetësimin e Tiranës. Gjuriq reagoi duke akuzuar Shqipërinë se po përpiqej të zhvendoste vëmendjen nga, sipas tij, situata dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Ai deklaroi gjithashtu se “nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe” apo për projekte të bazuara në zgjerim etnik dhe ndryshim kufijsh.

Rama, megjithatë, e kthen debatin te Kosova dhe kundërshton atë që e quan një “pjesë të veçantë të folklorit politik në Beograd”.

“Sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, duhet të thirret menjëherë ‘Shqipëria e Madhe’, sikur përsëritja një ditë mund ta shndërrojë një fantazmë të vjetër në një argument relevant”, ka shkruar kryeministri shqiptar në X.

Sipas tij, Tirana nuk ka nevojë për një projekt të tillë për të mbështetur Kosovën.

“Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të kësaj të drejte”, deklaron Rama.

“Serbia e humbi Kosovën”

Kryeministri shqiptar përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë edhe për çështjen e statusit të Kosovës, duke deklaruar se Serbia e ka humbur Kosovën.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta shndërrojë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por, për fat të keq, hartat janë më pak të përshtatshme për këtë”, shprehet ai.