Deputetët e PDK-së futen në sallën e Kuvendit, kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë futur në sallën kryesore të Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri mbajti konferencë për media, ku paralajmëroi “hapa” për mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës, raporton express.

“PDK është në Kuvend. KUSHTETUTË – REPUBLIKË! #HapeniKuvendin”, shkroi PDK-ja në një postim në Facebook.

Me kërkesë të kryeministrit në detyrë, kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 korrik u ndërpre dy herë radhazi.

Ai nuk e ka propozuar kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideron të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, të premtën në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit.

Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja, e caktoi për të shtunën vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur ajo nisi.

Tani, LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.