Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Halil Mustaf Gashi, 70 vjeçar.

Gashi është ndaluar të premten, më 15 gusht, rreth orës 16:00, nga njësitet policore në Prishtinë.

Gjatë verifikimit të të dhënave të tij, ka rezultuar se ndaj 70-vjeçarit ishte në fuqi një urdhër-arrest aktiv i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, urdhëresa lidhej me një dënim me gjobë në vlerë prej 200 eurosh, të shqiptuar lidhur me veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”.

Meqë gjoba nuk ishte paguar, ajo ishte zëvendësuar me dënim prej 10 ditësh burgim, çka kishte rezultuar edhe me lëshimin e urdhëresës për ekzekutimin e dënimit.

Pas ndalimit nga Policia dhe përfundimit të procedurave përkatëse, Gashi është dërguar në Burgun e Smrekonicës, ku do ta vuajë dënimin prej 10 ditësh. (foto ilustrim)