Aeroplani i nisur nga Çekia rrëzohet në Kroaci, humbin jetën dy personat në bord

Dy persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël me dy vende u rrëzua të premten pasdite në Parkun Kombëtar Paklenica, pranë qytetit të Zarës në Kroaci.

Alarmi u dha pak pas orës 16:00, sipas kohës lokale, pasi avioni, i cili ishte nisur nga Republika Çeke, humbi kontaktin.

Menjëherë pas alarmit, në zonën malore nisi një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi. Pas disa orësh kërkime, ekipet e shpëtimit gjetën rrënojat e aeroplanit në Parkun Kombëtar Paklenica, rreth 60 kilometra në verilindje të Zarës.

Rreth orës 22:00, forcat policore përfunduan operacionin në vendin e rrëzimit dhe konfirmuan se dy personat që ndodheshin në bord kishin humbur jetën.

Policia kroate ende nuk ka bërë publike identitetet e viktimave.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta që çuan në rrëzimin e aeroplanit.