Krasniqi me paralajmërim të rëndë: Dënimi i krerëve të UÇK-së mund të përdoret për shpërbërjen e Kosovës

Milazim Krasniqi ka paralajmëruar se një vendim dënues ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara mund të shfrytëzohet, sipas tij, për të goditur legjitimitetin dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës.

“Miq, mbani mend! Nëse Gjykata Speciale i dënon drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai vendim do të shfrytëzohet si tentim direkt për shpërbërjen e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka paraqitur një skenar hipotetik, sipas të cilit një vendim i tillë mund të përdorej si pretekst për rebelim të serbëve lokalë, ndërhyrje të Serbisë në veri dhe përfshirje të shërbimeve të huaja në enklava.

“Qysh? Si fillim, do të inskenohej rebelimi i serbëve lokalë, ‘kundër shtetit të krijuar nga kriminelët’, pastaj mund të ndodhë ndërhyrja e Serbisë në veri, më tutje involvimi i shërbimeve ruse e franceze në enklava, gjë që do ta detyronte KFOR-in të tërhiqej në kazerma dhe ashtu do të inskenohej lufta civile dhe kollapsi i shtetit. Edhe tërheqja e njohjeve mund të jetë pjesë e atij skenari”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka thënë se një skenar i tillë, sipas tij, mund të lidhet edhe me pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës si aleate e Shteteve të Bashkuara.

“Krejt kjo mund të ndodhë si hakmarrje ndaj Kosovës që është një ‘shtet klient’ i SHBA-së. Po SHBA, çfarë mund të bëjnë, për parandalimin e këtij skenari të kobshëm? Kjo pyetje ende nuk ka përgjigje”, ka deklaruar ai.

Në fund, Krasniqi ka kritikuar Qeverinë aktuale, duke pretenduar se raportet me SHBA-në janë dëmtuar, ndërsa ato të Uashingtonit me Serbinë janë forcuar.

“Sepse qeveria aktuale e Kosovës e ka dëmtuar partneritetin me SHBA-në, ndërsa SHBA i ka forcuar raportet me Serbinë”, ka përfunduar Krasniqi.