Ujdia presidenciale VV-LDK, Hamza: S’ka votë për të në PDK
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu.
Hamza ka thënë se nuk e din nëse dy partitë e dakorduara për emrin e Sejdiut do t’i kenë votat për ta zgjedhur atë president të vendit.
Në një prononcim për KosovaPress, Hamza ka thënë se VV-ja e LDK-ja matematikisht i kanë numrat për Sejdiun, por që nuk dihet nëse të gjithë deputetët e tyre do të qëndrojnë në sallë në momentin e votimit.
“Ata kanë negociuar që disa muaj. Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve. Nuk kemi ndonjë qëndrim (për kandidatin për president) për shkak se nuk është propozim i yni. E njohim z. Sejdiu, e njohim edhe angazhimin e tij në të kaluarën, kështu që nuk është figurë e panjohur për neve. Ata kanë negociuar, ka negociuar VV-ja me LDK-në dhe ne kemi deklaruar pozicionin tonë, pozicioni ynë ka qenë i qartë. Kemi fol për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, nuk ka qenë në tavolinë kjo temë dhe kemi deklaruar se ne qëndrojmë në opozitë dhe do ta luajmë rolin tonë si parti politike në opozitë, përbrenda kuvendit, dhe normalisht se do të kemi edhe kritika edhe qëndrime të caktuara në raport me veprime të caktuara por do të kemi edhe alternativa dhe do të kemi edhe përkrahje për të gjitha iniciativat që janë në dobi dhe në interes të vendit tonë”, ka thënë Hamza.
Ai po ashtu foli edhe për mundësinë e “rrjedhjes” së ndonjë vote për Sejdiun nga Grupi Parlamentar i PDK-së, duke thënë se nuk pret që të ketë devijime nga qëndrimet e partisë.

