Elmë Ramadani nga Gjilani diplomon në Akademinë Ushtarake të Turqisë

Një tjetër histori suksesi e të rinjve kosovarë është shënuar në Turqi, ku në një ceremoni të organizuar në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë u diplomuan me sukses pesë kadetë nga Kosova, shkruan albinfo.ch.

Në mesin e tyre ishte edhe Elmë Ramadani nga Gjilani, e cila pas një rrugëtimi pesëvjeçar tashmë ka përfunduar me sukses përgatitjen e saj profesionale dhe ushtarake, duke marrë gradën e nëntogeres dhe duke iu bashkuar kuadrove të reja të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përfundimi me sukses i këtij programi përbën një arritje të rëndësishme personale dhe profesionale për Ramadanin, por njëkohësisht edhe një kontribut në përgatitjen e gjeneratës së re të kuadrove të FSK-së.

Diplomimi në Akademinë Ushtarake të Turqisë shënon vetëm përfundimin e një etape të rëndësishme arsimore për Elmë Ramadanin.

Me përfundimin e studimeve, ajo tashmë nis një kapitull të ri në karrierën e saj, këtë herë në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku do të bartë përgjegjësi profesionale në shërbim të vendit.

Për Elmë Ramadanin, ky sukses është rezultat i një rrugëtimi disa vjeçar, i cili kërkoi përkushtim, disiplinë dhe përgatitje të vazhdueshme.