7 kërkesat e Komunave ndaj Qeverisë – cilat janë ato?

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komunat e Kosovës nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave dhe kompetencave që u garantohen me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

Para qytetarëve, ai renditi shtatë kërkesat kryesore të komunave ndaj Qeverisë:

1. Kompensimi i obligimeve financiare nga kontratat kolektive

Kërkohet që Qeveria t’i kompensojë obligimet financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive dhe që aktualisht po rëndojnë buxhetet komunale përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.

2. Mbulimi i kompensimit retroaktiv për përvojën e punës

Kërkohet që kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5%, nga marsi i vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohet nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet komunale.

3. Rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim

Kërkohet rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim, pasi mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke krijuar një barrë të konsiderueshme shtesë për komunat, e cila vetëm gjatë këtij viti tejkalon 24 milionë euro.

4. Ndalimi i centralizimit dhe respektimi i kompetencave komunale

Kërkohet ndërprerja e praktikave të centralizimit dhe e cenimit të kompetencave të komunave, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe ushtrimin e kompetencave të tjera vetanake.

5. Përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare

Kërkohet përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, si dhe për zvogëlimin e mjeteve të Grantit të Performancës Komunale.

6. Kompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore

Kërkohet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022.

7. Krijimi i grantit të katërt për investime kapitale

Kërkohet krijimi i një granti të katërt për investime kapitale, me kritere të qarta, të përcaktuara me ligj dhe transparente për të gjitha komunat.