Gola (VV) zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, kandidati i PDK nuk i merr votat, ndërpritet seanca

Ardian Gola ka marrë 101 vota për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Deputetët u dakorduan që nënkryetarët të votohen veç e veç e jo në pako siç ishte më herët.

Propozimi i PDK-së, Vlora Çitaku, nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetare, pasi LVV nuk e përkrahu.

Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, tha se deputetët e partisë së tij votuan pro kandidatit të Vetëvendosjes për nënkryetar të Kuvendit, Ardian Gola, me qëllim të konstituimit të Kuvendit, por se Vetëvendosje nuk votoi pro kandidates së PDK’së, Vlora Çitaku.

Pas kësaj PDK lëshoi sallën.

Më pas kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ndërpreu seancën.

Deputetja e LDK’së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje u pamundësua votimi i nënkryetarëve në pako.

“Vetëvendosje e pamundësoi votimin në pako. Ishte vendim i deputetëve të VV’së”, ka thënë ajo.

Lushaku tutje ka thënë se e drejta për propozim të emrave për nënkryetar është e drejtë ekskluzive e partive parlamentare.

Ajo ka treguar se si LDK kanë marrë vendim për të përkrahur propozimet e grupeve të tjera parlamentare.