Piloti indian i FlyDubai – hero i qiellit, shpëtoi 174 udhëtarë
Kapiteni indian, i cili po pilotonte avionin e “FlyDubai” kur bashkëpiloti e goditi me thikë – në një përpjekje të dukshme për ta rrëzuar avionin – është vlerësuar si hero, ndërsa liderë botërorë kanë lavdëruar veprimet që shmangën një katastrofë.
Kapiteni Smit Machchhar, me origjinë nga qendra financiare e Indisë, Mumbai, u plagos rëndë ndërsa pasagjerët hynë me nxitim në kabinën e pilotit dhe neutralizuan sulmuesin mes skenave dramatike të së mërkurës, pikërisht kur avioni “Boeing 737” po humbiste lartësi me shpejtësi të madhe, sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve izraelite.
Sulmi e detyroi avionin, i cili po transportonte 174 persona nga Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe) në Tel Aviv (Izrael), të kryente një ulje emergjente në Tabuk, në veriperëndim të Arabisë Saudite.
Machchhar u dërgua në spital dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme, njoftoi vonë të mërkurën Ambasada Indiane në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite.
Zyrtarët e ambasadës kanë qenë në kontakt me familjen e tij dhe me autoritetet saudite.
Kryeministri indian Narendra Modi e vlerësoi Machchhar-in si hero të enjten.
“Përballë një rreziku të madh dhe pavarësisht plagëve të rënda, ai tregoi guxim të jashtëzakonshëm dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur jetën e të tjerëve.
Trimëria e tij ndihmoi në shpëtimin e qindra jetëve dhe në shmangien e një tragjedie të madhe,” shkroi Modi në platformën X.

