Gruaja e cila u gjet pa shenja jete në Gjilan, është Elfete Dermaku – ajo jetonte e vetme në banesë
Një grua është gjetur pa shenja jete pasditen e 2 tetorit në një banesë në Gjilan, ku ajo jetonte e vetme.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se e ndjera është Elfete Dermaku, e cila prej një kohe nuk ishte parë nga banorët.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa rreth orës 15:00, së bashku me ekipin e zjarrfikësve, është hapur dera e banesës.
Brenda, gruaja është gjetur pa shenja jete në dhomën e saj.
Ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen, ndërsa sipas vlerësimeve të para, dyshohet se ajo kishte ndërruar jetë disa ditë më herët.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit lokalë dhe rajonalë, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të sqarojë shkakun e vdekjes.

