Prof. dr. Abdullah Konjicija – kujtim i një mentori që mbrojti dinjitetin e njeriut

Shkruan: Dr ELEZ ELEZI

Në vitin 1986, me rekomandimin e Prof. Dr. Xhevat Nubojs, shkova në Sarajevë për të vazhduar specializimin në Pulmologji.

Atje pata fatin të takoj një njeri që do të kishte ndikim të madh jo vetëm në formimin tim profesional, por edhe në mënyrën se si e kuptova mjekun dhe njeriun.

Ishte Prof. Dr. Abdullah Konjicija, profesor i Pulmologjisë. Ishte besimtar i devotshëm, patriot, humanist dhe, mbi të gjitha, një njeri i afërt e i thjeshtë në komunikim.

Ndonjëherë më merrte edhe në xhami. Me të bisedoja për shumë gjëra dhe ai më mësonte se besimi dhe shkenca nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Përkundrazi, ai besonte se njeriu mund të jetë njëkohësisht besimtar, shkencëtar dhe mjek që i shërben njerëzve.

Një herë më tha: “Dua që të bëhesh i mirë dhe, kur të shkosh në Prishtinë, të tregosh se ku ke specializuar.”

E kam mbajtur gjatë në mendje këtë fjali.

Shpesh e pyesja veten pse ishte aq i përkushtuar ndaj specializantëve shqiptarë dhe veçanërisht ndaj meje.

Një ditë ia bëra këtë pyetje. Më tha se dëshironte që ne të bëheshim mjekë të mirë dhe, kur të ktheheshim në vendin tonë, ta ndihmonim popullin tonë me dijen që kishim marrë.

Më tha edhe se e kishte parë tek unë sinqeritetin dhe dëshirën për të mësuar dhe se kjo e shtynte edhe atë të punonte më shumë me mua.

Pas vizitave të rregullta te pacientët, shpesh qëndronte edhe pak dhe na shpjegonte gjëra të reja nga literatura e Pulmologjisë.

Por nuk fliste vetëm për mjekësi. Fliste edhe për jetën, për njerëzit dhe për shumë gjëra të tjera që mendonte se duhej t’i dinim.

Unë gjithmonë mbaja shënime.

Disa kolegë serbë më tallnin dhe më thoshin: “Shkruaj, koleg, shkruaj edhe këtë!”

Unë nuk mërzitesha. U përgjigjesha me një fjalë të urtë që e përdorja shpesh: “Budala pamti, pametan piše” (budallai mban mend, i mençuri shkruan).

Dhe vërtet, shënimet më ndihmuan shumë.

Kur erdhi provimi specialistik, profesori nuk më pyeti vetëm nga librat dhe tekstet zyrtare.

Më pyeti edhe për gjëra që na kishte shpjeguar gjatë atyre bisedave pas vizitave. Unë i dija përgjigjet, sepse i kisha shkruar.

Njëri nga kolegët që më kishte thënë “shkruaj, koleg” nuk i dinte përgjigjet dhe vetëm ngriti supet.

Unë buzëqesha.

Profesori më pyeti: “Pse po qesh?”

I tregova se çfarë kishte ndodhur.

Ai më tha: “Po ky vjen në afatin tjetër, ra nga provimi specialistik.”

Pas provimit, ai koleg më tha se kishte bërë shaka. Ndoshta vërtet kishte qenë shaka.

Por unë gjithmonë kam menduar se ndoshta ai nuk e kishte kuptuar se si ndihesh kur dikush të përqesh për diçka që ti e bën me dëshirë dhe për të mësuar.

Për mua, ajo ngjarje mbeti një mësim i vogël, por i rëndësishëm. Profesori na mësonte shumë gjëra, ndërsa unë përpiqesha t’i ruaja ato duke i shkruar.

Një tjetër ngjarje që më ka mbetur në mendje lidhet me një konferencë ndërkombëtare të Pulmologjisë në Novi Sad, në fillim të viteve ’80.

Në atë konferencë, një profesor serb, i cili kishte mbrojtur doktoratën në Beograd me temën “Shtatzënia dhe tuberkulozi”, kishte paraqitur një tezë sipas së cilës përhapja e madhe e tuberkulozit në Kosovë lidhej me numrin e madh të lindjeve te gratë shqiptare.

Prof. Konjicija reagoi menjëherë dhe shumë ashpër.

Ai i tha: “Kjo tezë është fashiste, raciste dhe tendencioze. Ju doni që edhe në shkencë ta fusni fashizmin.”

Pastaj shpjegoi se tuberkulozi nuk mund të lidhej në atë mënyrë me numrin e lindjeve.

Sipas tij, shkaktarët kryesorë duhej të kërkoheshin te varfëria, ushqyerja e dobët dhe kushtet e vështira të jetesës.

E përsëriste edhe në serbisht: “Tamo vlada beda.” (atje në Kosovë mbretëron varfëria).

Ai solli edhe shembuj nga historia e popullit hebre. Para Luftës së Dytë Botërore, atje ku hebrenjtë kishin kushte më të mira jetese, incidenca e tuberkulozit ishte më e ulët.

Ndërsa gjatë luftës, në kampet e përqendrimit, ku kishte uri, kequshqyerje, kushte të këqija higjienike dhe jetese, u rritën shumë edhe sëmundjet dhe vdekjet nga tuberkulozi.

Pas fjalimit të tij, profesorë dhe studiues nga vende të ndryshme e duartrokitën dhe e mbështetën.

Këtë ngjarje ma kishte treguar vetë Prof. Konjicija. Më vonë pata mundësi ta verifikoja edhe me Prof. Dr. Irfan Spahiu, i cili kishte qenë i pranishëm në atë konferencë.

Ai ma konfirmoi ngjarjen dhe më tha se reagimi i Prof. Konjicija ua kishte bërë “zemrën mal”, sepse ai kishte dalë hapur në mbrojtje të shqiptarëve dhe të Kosovës para një audience ndërkombëtare.

Kjo është një nga arsyet pse e kam kujtuar gjithmonë me respekt të veçantë.

Ai nuk heshtte kur shkenca përdorej për të krijuar paragjykime ndaj një populli. Reagonte si profesor, si mjek, por edhe si njeri.

Prof. Konjicija nuk më mësoi vetëm Pulmologjinë. Më mësoi edhe si duhet të sillem me pacientin, si duhet ta dëgjoj njeriun përballë meje dhe se mjeku nuk duhet ta ndajë profesionin nga njerëzillëku.

Ai e donte Kosovën dhe shqiptarët dhe këtë nuk e fshihte. E shprehte hapur. Për të, ndihma ndaj specializantëve shqiptarë ishte edhe një mënyrë për t’i përgatitur ata që një ditë t’i shërbenin vendit të tyre.

Kur mendoj sot për vitet e specializimit në Sarajevë, më kujtohen vizitat në pavijon, bisedat pas vizitave, shënimet që mbaja, këshillat e tij dhe mënyra se si ai na mësonte.

Pas luftës nuk pata mundësi ta vizitoja. Ai kishte pritur të vazhdonim bashkëpunimin, por vitet ’90 sollën gjithçka tjetër.

Pastaj erdhi lufta në Sarajevë dhe më vonë lufta në Kosovë. Marrëdhëniet dhe kontaktet u ndërprenë.

Në vitin 2004 mora vesh se Prof. Dr. Abdullah Konjicija kishte vdekur.

Më erdhi shumë keq.

Do të doja ta kisha parë edhe një herë, t’i kisha thënë një faleminderit për gjithçka që kishte bërë për mua dhe t’i tregoja se sa shumë kishte ndikuar në formimin tim profesional dhe njerëzor.

Por nuk pata mundësi.

Edhe sot, kur kujtoj Sarajevën dhe vitet e specializimit, më dalin para syve ato ditë, vizitat, bisedat dhe shënimet që bëja me kujdes.

Prof. Dr. Abdullah Konjicija ishte profesor, ishte besimtar, ishte patriot, por mbi të gjitha ishte njeri.

Për mua, ai mbeti një nga njerëzit që më ndihmuan të bëhem jo vetëm mjek më i mirë, por edhe njeri më i mirë.

Këtë nuk e kam harruar dhe besoj se nuk do ta harroj kurrë./Mediafokus