Gjilani bëhet edhe me një doktor shkence – Bujar Selimi mbron temën e doktoratës për Dizajn dhe Teknologji të Mobiljeve dhe Enterierit në Universitetin e Shkupit
Dr Elez Elezi
…….. ………..
Gjilani ka fituar edhe një doktor shkence. Bujar Selimi ka mbrojtur me sukses temën e doktoratës në Fakultetin për Dizajn dhe Teknologji të Mobiljeve dhe Enterierit, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Dr Elez Elezi ka bërë një postim të veçantë në Mediafokus për nipin e tij, Bujarin.
Sot për familjen tonë ishte një ditë e veçantë. Nipi im, Bujar Selimi, djali i motrës sime, mbrojti temën e doktoratës në Fakultetin për Dizajn dhe Teknologji të Mobiljeve dhe Enterierit, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Ishte një mbrojtje që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë, jo vetëm për faktin se Bujari përfundoi një rrugëtim të rëndësishëm akademik, por edhe për mënyrën se si u prit dhe u vlerësua puna e tij nga komisioni.
Anëtarët e komisionit, të gjithë pjesë e stafit akademik të universitetit, njëri pas tjetrit folën për punën e Bujarit. Secili prej tyre, para se të bënte pyetjet, e vlerësonte dhe e lavdëronte punën e doktoratës.
Pyetjet ishin të ndryshme dhe të thelluara, në kuadër të temës, ndërsa Bujari u përgjigjej me qetësi, siguri dhe njohuri.
Duke e dëgjuar, ne të afërmit ndiheshim krenarë. Jo vetëm sepse ishte nipi ynë, por sepse para nesh po qëndronte një njeri që po e mbronte me dinjitet punën e vet, një punë për të cilën e dinim sa shumë kishte punuar.
Unë, sa herë që kam vizituar motrën time gjatë këtyre viteve, pothuajse gjithmonë e kam gjetur Bujarin duke punuar në këtë temë.
Herë pas here e kam parë të zhytur në punë, duke u marrë me detajet e saj. Prandaj, kur sot dëgjova profesorët ta vlerësonin aq lart atë që kishte bërë, mendova se pas këtyre fjalëve qëndronin shumë vite pune, durimi dhe përkushtimi.
Në fund, më së shumti më mbeti në mendje fjala e mentorit të tij.
Pasi dëgjoi vlerësimet e anëtarëve të komisionit, ai tha, në një mënyrë shumë domethënëse: “Pas gjithë asaj që u tha, unë nuk kam çka të them. Po ta lavdëroj më tej punën e Bujarit në këtë doktoratë, do të më bjerë se po e lavdëroj veten.”
Ishte një fjali e thjeshtë, por për ne që e dëgjuam kishte një peshë të madhe.
Pas përfundimit të mbrojtjes, mentori i Bujarit na tha edhe një vlerësim tjetër që na gëzoi shumë.
Sipas tij, komisioni kishte ardhur në përfundimin se një doktoraturë e përgatitur në atë nivel nuk ishte parë deri atëherë në universitetin e tyre.
Nuk po e shkruaj këtë për ta madhëruar një sukses familjar. Po e shkruaj sepse mendoj se pas çdo suksesi të vërtetë qëndron një histori pune që shpesh nuk shihet.
Sot ne pamë vetëm ditën e mbrojtjes. Por pas asaj dite qëndrojnë vite të tëra pune, përkushtimi dhe përgjegjësie.
Dhe, natyrisht, për një familje është një ndjenjë e veçantë kur njëri prej të vetëve i sjell një gëzim të tillë.
Prandaj, sot nuk kam shumë fjalë për t’i thënë Bujarit, përveç njërës:
Faleminderit, Bujar, që na dhe edhe neve këtë ndjenjë krenarie dhe gëzimi.
Urime doktoratura, Bujar! Uroj që kjo të jetë vetëm një nga shumë arritje në rrugën tënde akademike dhe profesionale, ka shkruar dr Elez Elezi.

