Me 5 euro u nis për në Gjermani, kosovarëve u refuzohet hyrja në këtë shtet

Tre shtetas të Kosovës janë ndaluar nga Policia Federale gjermane, gjatë një kontrolli kufitar, pasi u konstatua se nuk i plotësonin kushtet për hyrje në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Kontrolli u zhvillua në autostradën A96, ku tre kosovarët po udhëtonin me autobus nga Roma drejt Frankfurtit.

Sipas policisë, ata udhëtonin të pavarur nga njëri-tjetri dhe pas verifikimeve, të treve iu refuzua hyrja në Gjermani.

Dy prej tyre kishin probleme me dokumentet e qëndrimit.

Rasti i tretë tërhoqi vëmendjen gjatë kontrollit të mjeteve të udhëtimit.

Kosovari 37-vjeçar deklaroi se synonte të qëndronte vetëm dy ditë në Gjermani, por policia konstatoi se ai kishte vetëm pesë euro dhe në valixhe mbante rroba pune.

Sipas Policisë Federale, ndaj të tre shtetasve të Kosovës janë iniciuar procedura penale, ndërsa autoritetet kanë vendosur t’ua refuzojnë hyrjen në territorin gjerman.