Dita e tretë e protestës studentore, Rama: Kjo nuk është dora e studentëve

Studentët dhe gjimnazistët hyjnë sot në ditën e tretë të protestës, pas dy ditësh të shoqëruara me tensione, përplasje me policinë dhe dëme materiale në disa institucione dhe biznese në kryeqytet.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë mëngjes për herë të parë pas përshkallëzimit të protestës, duke akuzuar opozitën për aktet e dhunës dhe duke deklaruar se personat përgjegjës do të përballen me ligjin.

Ndërkohë, në orën 10:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën kohë kur studentët kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës. Përplasja e dy zhvillimeve e vendos sërish situatën politike dhe protestën studentore në qendër të vëmendjes.

“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së Bashkuar, që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit europianë të pranishëm në Tiranë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Janë gjithnjë të mirëpritur dhe ne jemi gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Rama./EA/