“Dauti e Samiu do ta puthin tokën e Kosovës pas arrestimit” -Alban Krasniqi me akuza të rënda ndaj Haradinajt dhe Lushtakut
Bashkëshorti i Albulena Haxhiut, Alban Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj deputetit Daut Haradinaj, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me mundësinë e gjakderdhjes më 6 tetor.
Krasniqi e ka akuzuar ish-komandantin e UÇK-së, Daut Haradinajn, për krim, haraç dhe shantazh, duke e cilësuar atë si shembull të mercenarizmit të pasluftës.
“Tipat si ky janë modeli i mercenarizmit të pasluftës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, duke pretenduar se bëhet fjalë për persona që veprojnë përmes strukturave kriminale paralele.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka paralajmëruar edhe arrestimin e Daut Haradinajt dhe Sami Lushtakut, duke iu referuar veprave që ai i cilëson si kriminale dhe korruptive.
“Kur Dauti, Samiu etj. kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi për veprat e tyre kriminale dhe korruptive”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërkohë, më herët deputeti Salih Zyba kishte kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë, duke ngritur dyshime lidhur me atë nëse Daut Haradinaj kishte planifikuar gjakderdhje.

