Rama: Protestat një kurthi i ngritur që kërkon gjak

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme që kanë përfshirë Tiranën prej pesë ditësh.

Ai ka thënë se është përpjekur të mos përfshihet siç thotë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak.

“Ja ku jam, nuk kam ikur. Vendosa të jem këtu sot, të shihni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia, pasi për disa ditë, qysh se kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak”.

“Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, po ku nuk u prek në asgjë, asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot nuk shkuan dot as në spital se i priste përsëri druri dhe u mjekuan në shtëpi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tutje ka dënuar dhunën ndaj policisë, por ka theksuar se personat e përfshirë në këto akte janë gjithashtu të rinj të këtij vendi.

“Ata që përpiqen t’u nxjerrin sytë policëve dhe t’i vrasin, janë kriminelë, por janë fëmijët e këtij vendi. Dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen”, ka deklaruar Rama.

Ai ka publikuar gjithashtu pamje të një guri të shkëputur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar atë si një mjet që mund të shkaktojë pasoja të rënda nëse përdoret kundër policisë.

“Ky është një nga mijëra gurët e shkulur të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’u hedhur mbi policinë. Është praktikisht një armë që mund të bëhet edhe vdekjeprurëse”, ka thënë ai.