Ish-deputetja e LDK-së kërkon që letra paralajmëruese e Arlinda Zekës, të vendoset në çdo institucion të shtetit, krahas fotos së Presidentes

Ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka kërkuar që letra paralajmëruese e Arlinda Zekës, të vendoset në çdo institucion të shtetit, krahas fotos së Presidentes.

Nëpërmjet një postimi në profilin e saj virtual, Krasniqi ka thënë se kjo letër e paraqet si kurrë më parë dështimin e shtetit, ndërkohë që ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqësve të ekzekutivit kosovar.

Postimi i plotë:

Letra lapidare e Arlinda Zekajt, e cila e vizaton si kurrë më parë mjerimin institucional dhe dështimin monumental të shtetit, duhet të vendoset në çdo institucion të Republikës, krahas fotografisë së Presidentes.

Ky akt ndoshta do ta prekte pak ndërgjegjen e çdo zyrtari në institucionet e sigurisë, para çdo veprimi apo vendimi, sidomos kur rrezikohet jeta e grave.

Por, në asnjë mënyrë nuk pres që kjo të bëhet nga udhëheqësit e sotëm institucionalë, të cilët, në kushte normale, do të duhej të dorëhiqeshin para asaj hallkës përgjegjëse të (pa)drejtësisë në Pejë, ku përgjegjësit tashmë do të duhej të ishin në burg.

Prandaj, ju ftoj të gjithëve, jo veç nesër, por të protestojmë çdo ditë para qeverisë e institucioneve të tjera të drejtësisë, për revoltë kombëtare për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë. Për siguri e liri për gratë e gjalla e drejtësi për gratë e vrara!