Murati tenton ta arsyetojë inflacionin: Shkaktarët janë globalë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh.
Ai tha se buxheti është hartuar duke u bazuar në pritjet për rritje ekonomike dhe rritje të të hyrave, ndërsa theksoi se deficiti buxhetor është planifikuar në nivelin prej dy për qind të Bruto Produktit Vendor.
Sipas tij, për paga janë ndarë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale 1 miliard e 70 milionë euro, raporton EO.
Megjithatë, projektbuxheti u kritikua nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili vuri në pikëpyetje realizimin e investimeve kapitale dhe përmendi raportin e Institutit GAP, sipas të cilit, mbi një miliard euro nga investimet e planifikuara për periudhën 2021-2024 nuk janë shpenzuar.
Lushtaku kritikoi gjithashtu vonesat në shpërndarjen e subvencioneve për fermerët, projektet e planifikuara me zero euro dhe ato të reja që kanë ndarje fillestare prej vetëm një milion eurosh.
Në përgjigje, Murati tha se mosrealizimi i plotë i investimeve kapitale është një problem i trashëguar ndër vite, duke ia atribuuar atë kapaciteteve zbatuese të ministrive dhe komunave, si dhe procedurave që shpesh zgjasin.
Ai pretendoi se në këtë drejtim ka përmirësim të trendit, ndërsa për inflacionin tha se rritja e kostos së jetesës është sfidë edhe për vendet e tjera, duke përmendur si faktorë luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Gjirin Persik.

