Kokaj, fshati që kufiri ia ndau varret, por nuk ia varrosi kujtesën
Mes Gjilanit dhe Preshevës, në një hapësirë të ndarë nga kufiri Kosovë–Serbi, gjendet Kokaj, një fshat me histori dyqindvjeçare, me rrënjë të thella familjare dhe me plagën e një ndarjeje që vazhdon të ndihet edhe sot.
Fshati shtrihet në juglindje të Gjilanit, në një territor që historikisht përfshin edhe hapësira matanë kufirit, në drejtim të Preshevës.
Mëhalla e Poshtme, Mëhalla e Epërme dhe Gurina janë tri lagjet që përbëjnë këtë vendbanim, historia e të cilit daton rreth dy shekuj më parë.
Sipas të dhënave historike të përcjella nga banorët, të parët që u vendosën në këtë fshat erdhën nga Sanxhaku i Toplicës.
Ata e zgjodhën këtë vend për shkak të kushteve të favorshme natyrore dhe mundësive për jetesë.
Tokën e blenë nga Isa Begu i Shkupit, ndërsa afërsia me rrjedhat ujore u mundësoi ndërtimin e mullinjve, të cilët në atë kohë përbënin një burim të rëndësishëm të ekzistencës.
Sipas regjistrimit të vitit 1948, fshati kishte 250 banorë. Numri i popullsisë vazhdoi të rritej vit pas viti, derisa filloi migrimi drejt qytetit dhe vendbanimeve të tjera.
Megjithatë, goditja më e madhe demografike erdhi gjatë luftës së fundit, 1999.
Kufiri Kosovë–Serbi, përveçse ndau territorin, ndërpreu edhe lidhjet e natyrshme të banorëve me një pjesë të pronave, kullotave, livadheve, maleve dhe, mbi të gjitha, me varrezat e të parëve.
Kufiri, në këtë pjesë, ka ndarë edhe të gjallët nga të vdekurit. Ata nuk mund të shkojnë të lirë as te varret e familjarëve të tyre.
Varri i Fejzës, njërit prej dy djemve të Ademit, që konsiderohet themelues i katundit, ka mbetur matanë kufirit.
Pavarësisht vështirësive dhe shpërnguljeve, jeta në Kokaj nuk është shuar plotësisht.
Banorët që kanë mbetur aty, vazhdojnë të ruajnë kujtesën dhe gjurmët e së kaluarës, duke mos lejuar që vendbanimi i tyre të zhduket nga harta e kujtesës kolektive.
Në këtë fshat, shkolla e parë u ndërtua në vitin 1967, falë kontributit të plakut Nezir Koka.
Mësuesit e parë që shërbyen në këtë institucion arsimor ishin Rrustem Rrustemi dhe Halil Halili.
Për dekada me radhë, shkolla ishte vatër e dijes dhe e jetës shoqërore të fshatit. Sot, pas më shumë se gjysmë shekulli, ajo ka mbetur pa nxënës.
Heshtja e saj është një tjetër dëshmi e zbrazjes graduale të Kokajve.
Banorët kanë humbur qasjen e lirë në një pjesë të tokave të tyre, në ara, kullosa, livadhe e male.
Por humbja më e ndjeshme mbetet pamundësia për të vizituar varret e familjarëve.
Sepse toka nuk është vetëm pronë. Ajo është kujtesë, histori, trashëgimi dhe lidhje mes brezave.
Sot, Kokaj mbetet dëshmi e një historie që nuk duhet harruar. Ishte një fshat që dikur kishte jetë, shkollë, mullinj, familje dhe gjallëri.
Por edhe nëse tokat mund të ndahen, varret mund të mbetën matanë kufirit dhe shkollat mund të mbesin pa nxënës, historia e një vendi nuk shuhet aq lehtë.
Kokaj vazhdon të jetojë në kujtesën e banorëve, në gurët e varreve, në gjurmët e shtëpive të vjetra dhe në historinë që brezat kanë për detyrë ta ruajnë. /Mediafokus.info

