Rexhep Rexhepi nga Zhegra e Gjilanit fiton çmimin më prestigjioz në botën e orëndreqjes në Gjenevë
Krenari për Kosovën: Orëndreqësi me origjinë shqiptare rrëmben çmimin e madh “Aiguille d’Or” në Zvicër.
Orëndreqësi i njohur me origjinë nga Zhegra e Gjilanit, Rexhep Rexhepi, ka fituar çmimin më prestigjioz në industrinë botërore të orëve, “Aiguille d’Or”, në edicionin e 26-të të ceremonisë Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG), të mbajtur më 7 nëntor në Gjenevë të Zvicrës.
Rexhepi u shpërblye për krijimin e tij të veçantë, “Chronograph Flyback”, një orë luksoze që spikat për mekanizmin e avancuar, dizajnin elegant dhe mjeshtërinë e jashtëzakonshme artizanale.
Çmimi “Aiguille d’Or” konsiderohet vlerësimi më i lartë në botën e orëndreqjes dhe përfaqëson një nga arritjet më të rëndësishme që mund të fitojë një krijues në këtë industri.
Në garën e sivjetme morën pjesë 84 krijime nga prodhues dhe orëndreqës të njohur ndërkombëtarisht.
Rexhep Rexhepi jeton dhe vepron në Gjenevë, ku është shndërruar në një prej emrave më të njohur të orëndreqjes së pavarur.
Përmes punës, talentit dhe përkushtimit të tij, ai ka arritur të krijojë një emër të respektuar në një industri ku konkurrojnë disa prej markave më prestigjioze në botë.
Ky sukses merr rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, pasi Rexhepi i ka rrënjët në Zhegër të Gjilanit.
Një tjetër histori suksesi që dëshmon se talenti dhe përkushtimi i shqiptarëve mund të arrijnë majat e botës!

