Nis protesta kundër vrasjes së grave në Prishtinë: “Femicidi është urgjencë kombëtare”

Me moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, ka nisur protesta kundër vrasjes së grave në Prishtinë, e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Përmes kësaj proteste synohet të ngrihet zëri kundër dhunës dhe vrasjes së grave, si dhe të kërkohet mbrojtje më e madhe institucionale për to.

Në kuadër të protestës është paraparë edhe një marsh përgjatë shesheve të kryeqytetit, ku pjesëmarrësit do të shpalosin pankarta me mesazhe kundër dhunës ndaj grave.

Protesta po mbahet në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila nis më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut./infokus