Nga 28 dhjetori lejohen vizitat familjare në burgje, sipas këtyre rregullave
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar përmes një komunikate se nga data 28 dhjetor 2020 do të fillojë lejimi i vikendeve për të dënuarit dhe vizitave familjare, shkruan Mediafokus.info.
Në njoftim thuhet se familjarët janë të obliguar të respektojnë masat anticovid gjatë vizitës në institucionet korrektuese.
Njoftimi i plotë:
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinioni publik se nga data, 28 dhjetor 2020, do të fillojë me lejimin e vikendeve për të dënuarit dhe vizitave familjare.
Si masë lehtësuese, për vizitë familjare do të fillojmë me pranimin e vetëm një (1) anëtari të familjes.
Gjatë vizitës së tyre, në hyrje të institucioneve korrektuese familjarët janë të obliguar të respektojnë masat anticovid, (distancën sociale, vendosjen e maskës, dezinfektues).
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve.
Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim.

