Pasojat e burgut: Veprimtari Hamdi Zymberi kurrë s’u pastrua me ujë të ngrohtë

Veprimtari i çështjes kombëtare, Hamdi Zymberi, i cili ndërroi jetë të shtunën, ishte dënuar nga regjimi i kohës me 14 vjet burgim, pasi nuk u pajtua me shtypjet dhe padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve të Kosovës, shkruan Mediafokus.info.

Ai ishte torturuar në mënyrën me çnjerëzore në burgjet e Serbisë, derisa shokët e tij tregojnë se burgu ia la edhe një pasojë.

Gjatë tërë kohës sa vuajti në burg (nëntë vjet) nuk ishte pastruar kurrë me ujë të ngrohtë, si formë tjetër e dënimit të egër.

Siç rrëfejnë shokët për Mediafokus.info, trupi i tij ishte mësuar me ‘ujin e burgut’ – të ftohtin dhe kështu vazhdoi të bëjë dush të ftohtë deri sa ndërroi jetë.

Pas daljes nga burgu, Zymberi udhëhoqi grupin, të cilët po përgatiteshin për stërvitje ushtarake 1993/1994, për t’u përgatitur për luftën e cila ishte e pashmangshme.

Vdekja e papritur e Hamdi Zymberit pikëlloi shumë njerëz. Ai u vlerësua lartë për figurën e tij prej veprimtari të madh, i cili e ndoqi kauzën për lirinë e shqiptarëve.

I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në telegramin dërguar familjes, tha se Hamdiu një jetë të tërë ia kushtoi kauzës për lirinë e shqiptarëve.

“Edhe pas daljes nga burgu, ai nuk hoqi dorë nga kjo kauzë, pasi ishte përgjegjës i një grupi për përgatitje ushtarake në vitet 90-ta kundër okupimit. Lamtumirë, miku im i shtrenjtë”, shkroi Haziri, transmeton Mediafokus.info.

Një dedikim për Hamdiun e ka bërë edhe bashkëveprimtari i tij Sami Kurteshi.

“Shok e bashkëveprimtar, i paepur, i pathyeshëm, i pakompromis, i vendosur, patriot dhe revolucionar i paepur!”, ka shkruar ai. /Mediafokus.info/