Pacientët nga rrethet e paguajnë shtrenjtë betejën familjare me COVID-19

Strategjia e Ministrisë së Shëndetësisë për ta centralizuar trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19 vetëm në Tiranë ka sjellë ulje aksesi dhe rritje kostosh për mijëra familjarë nga qytetet e tjera –një pjesë e të cilëve janë zhytur edhe në borxhe.

Dritani, 40 vjeç nga qyteti verior i Kukësit, qëndroi gjatë pas kangjellave të spitalit “Shefqet Ndroqi” më 14 dhjetor, në pritje të një lajmi për shëndetin e babait të tij –pacient në gjendje të rëndë nga virusi SARS-CoV-2.

I ati 72-vjeçar ishte shtruar prej katër ditësh në një prej pavioneve të spitalit COVID-2, por i biri nuk kishte ende asnjë informacion nga mjekët.

Shëndeti i babait është burimi më i madh i shqetësimit për 40-vjeçarin nga Kukësi, por jo i vetmi. Me dy familjarë të tjerë të infektuar në shtëpi dhe me shpenzimet e paparashikuara të strehimit në një hotel në Tiranë së bashku me të vëllanë, Dritani llogarit ta paguajë shtrenjtë betejën e familjes së tij me COVID-19.

“Ilaçet kushtojnë shtrenjtë për të sëmurët që kam në shtëpi, ndërkohë që për serumet paguajmë privatisht,” tha Dritani. “Nëse infermierja kërkon 10 mijë lekë, unë do t’i jap 20. Do harxhoj deri në qindarkën e fundit që të bëhen mirë familjarët e mi,“ shtoi ai.

Prej fillimit zyrtar të pandemisë në mars 2020, autoritetet shëndetësore në Ballkan ngritën në këmbë sistemin e spitaleve rajonale për kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19, por Shqipëria ndoqi një strategji tjetër.

Shërbimi u centralizua vetëm në spitalet e dedikuara të COVID-it në Tiranë, ndërkohë që spitalet rajonale u lanë jashtë planit të menaxhimit të pandemisë dhe në periferi të investimeve buxhetore.

Një raport i publikuar nga shoqata “Together For Life” me mbështetjen e fondacionit Westminster për Demokraci, tregon se gjysma e fondeve spitalore për përballimin e pandemisë shkoi në favor të pesë spitaleve në Tiranë në periudhën janar-shtator 2019, transmeton lapsi.al.

Sipas analizës së të dhënave të siguruara nga pagesat e Thesarit, dy spitale në Elbasan kanë marrë rreth 6% të fondeve totale, të ndjekura nga dy spitale në Vlorë me 5 % të fondeve. Spitalet rajonale të Korçës, Fierit dhe Shkodrës kanë marrë gati 4% të fondeve secili.

Centralizimi i betejës së COVID-19 në Tiranë e kufizoi aksesin në kujdesi shëndetësor për mijëra pacientë nga rrethet si dhe rriti kostot direkte dhe indirekte për familjarët e tyre.