PDK: Konjufca të tregojë për lidhjet familjare me Sadri Ramabajën

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, me anë të një njoftimi për media, ka goditur kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, pasi, sipas tyre, ky i fundit ka lidhje familjare me të dënuarin Sadri Ramabaja.

Madje, PDK ka thënë se Kuvendi është kapur nga “Syri i Popullit.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, shpreh indinjatë për karakterin parapolitik që i është dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke qenë në krye të tij ideologu i organizatës terroriste “Syri i Popullit”, Glauk Konjufca”, thuhet në njoftim, transmeton Mediafokus.info

Sipas tyre, “Kryeparlamentari Konjufca, i cili ka lidhje të ngushta familjare me ish asamblistin dhe ish kandidatin për deputet të VV-së, Sadri Ramabajën, të dënuarin e “Syrit të Popullit”, duke heshtur, po mbron veprimtarinë e kësaj organizate terroriste, e cila krijoi lista për vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe filloi zbatimin e saj duke bërë atentat”.

PDK thotë se me heshtjen e saj, Vetëvendosje po rikonfirmon atë që e kemi thënë vazhdimisht dhe që u vërtetua edhe në gjykatë – se “Syri i Popullit” është zgjatim i Vetëvendosjes në praktikë dhe diskurs.

“PDK kërkon të ruhet fryma dhe karakteri demokratik i Kuvendit të Kosovës nga çfarëdo individi që asocohet me këtë organizatë terroriste”, thuhet në njoftimin e Grupit Parlamentar të PDK’së./MediaFokus/