5 Marsi i Adem Jasharit është trashëgimi botërore e luftës kundër fashizmit
Shaip Kamberi
Secila datë historike, botërisht, është rastësi. Nuk ka asnjë veçanti për 5 marsin para vitit 1998. Dhe nuk ka asnjë gjë që mund ta shlyjë rëndësinë e 5 marsit pas vitit 1998.
Kështu pra, një veprim i një familje të zakonshme në Prekaz, bëhet ngjarje që bartë në vete dimension universal.
Sepse lufta e Jasharajve ishte e tillë – luftë për liri e njerëzve të zakonshëm kundër tiranisë fashiste të superarmatosur dhe të uniformuar.
Kjo makineri vrasëse nuk kurseu asgjë. Të gjithë anëtarët e familjes u vranë, pa kursyer as fëmijët e as të moshuarit.
Pra makineria nuk bënte luftë, por gjenocid, sepse nuk donte fitoren, por zhbërjen.
Në anën tjetër Adem Jashari qëndroi në shtëpinë e tij, me familjarët e tij. Ishte i armatosur lehtë. Por kishte një armë shumë më të fortë: vendosmërinë për liri.
Kjo ngadhënjeu kundër makinerisë së trajnuar vrastare.
Prandaj 5 Marsi nuk mund të shlyhet, sepse nuk është më i Prekazit, as i Kosovës. Është i trashëgimisë botërore të luftës kundër fashizmit.
Është ngjarje e vegjëlisë kundër shtypjes, e rezistencës kundër shfarosjes, e insistimit të njeriut të zakonshëm për të qenë i lirë e i barabartë, që kundërshton shtypjen, i njeriut që vlerëson lirinë dhe barazinë më shumë se jetën.
Adem Jashari luftoi si shqiptar i Kosovës, por nuk luftoi vetëm për shqiptarët. Luftoi për të gjithë të shtypurit kundër çdo forme të fashizmit.

