Profesori: ‘Kam punuar bari fshati’
Profesori Haki Bunjaku, i cili jeton në mërgim prej vitesh, është një njeri i rrallë për shumëçka. Ai pos që e rrëfen jetën e tij ashtu siç e ka kaluar, ka shkruar edhe nekrologun për vete.
Profesori 80-vjeçar e pranon se si fëmijë ka punuar bari me pagë, shkruan Mediafokus.info.
‘Në moshën 12 vjeçare kam qenë bari i pajtuar në Suharrnë. Unë i ruaja delet te të bijtë e Hysen Tahirit, që më trajtonin si fëmijë të tyre. Vitin e dytë më lëshuan dy javë para afatit se u thash që po dua me shkua në shkollë. Halla që tash ia kam harrua emrin, por e di që ka qenë prej Zhuje, shumë është kujdes për mua’
Hakiu rrëfen edhe rrugën e shkollimit dhe pastaj rikthimin në fshatin e tij, Desivojcë, për të punuar mësues.
‘E fillova shkollën në Desivojcë në klasën e pestë, por ngase isha më i rrituri më vinte turp, prandaj klasën e shtatë e kreva privatisht në Hogosht, ndërsa të tetën, i rregullt po aty. Gjimnazin e kreva në Gjilan dhe konkurrova për mësues në Desivojcë se nuk e dija a mund ta jap provimin pranues në Fakultet’.
Në bazë të suksesit që kishte, Hakiu pranohet në fakultet pa provim madje.
‘Kreva dy vite fakultet dhe nisa mësimdhënien në Desivojcë. Vitin e tretë dhe të katërt i kreva me korrespondencë. Shtatë vite punova në Desivojcë e gjashtë vite në Gjimnazin e Gjilanit. Në vitin 1970 shkova ushtar në Pullë të Istres, ku në saje të shkollimit shërbeva 11 muaj”.
Kaptinë e veçantë në jetën e tij është ndjekja, arrestimi dhe dënimi me burgim.
‘Nga burgosja dhe përndjekjet, në fund korrik 1981, mora arratinë dhe nisa jetën e azilantit në Zvicër, ku ndodhem aktualisht, por si qytetar i rëndomtë.
Më 24 fror 1974 më arrestuan dhe mi prenë gjashtë vite burg, por nipi dhe shoku im i ideali, tash i ndjerë, Osman Arifi/Cari, atëherë gjykatës, krye muaji më nxjerr në liri.
Gjatë jetës sime si i rritur, por jo në mendje, gjithnjë kam menduar që nuk di mjaft, prandaj kurrë s`e kam ndalë leximin, bile edhe tash në pension të pleqërisë vazhdimisht merrem me lexim dhe atë lexoj çka të më bie në dorë’. /Mediafokus.info

