Rugova ia siguroi lirimin me kusht Haradinajt, kush do ta bëjë këtë për Thaçin dhe të tjerët
Analisti politik, Fitim Salihu, ka thënë se ashtu sikurse veproi ish-presidenti Ibrahim Rugova me garantimin e lirimit me kusht ndaj kreut të AAK’së, Ramush Haradinaj, gjatë kohës sa ky i fundit po gjykohej për krime lufte në Hagë, njësoj duhet të bëjnë edhe krerët shtetërorë aktualë për ish-ushtarët e UÇK’së, të cilëve u rëndojnë akuzat për krime gjatë kohës së luftës dhe pas saj.
Salihu këtë propozim e ka bërë nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa tha se udhëheqësit shtetëror nuk thanë ende asnjë fjalë për ish-Thaçin dhe të tjerët që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara, shkruan Gazeta Express.
“Ibrahim Rugova ka garantuar për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt. Nexhat Daci ka garantuar për lirimin me kusht të Fatmir Limajt. Burrështetasi dallohet prej politikanit të zakonshëm e të mllefosur nga aftësia për të dalë mbi inatet ditore në momente kur preket historia kapilare e kombit”, thuhet në postimin e tij.
“Krerët aktualë të shtetit asnjë fjalë nuk e thanë për krerët e UÇK-së që sot po gjykohen. Po gjykohen për luftën e tyre për lirinë e Kosovës. Asnjë garancë nga institucionet tona për lirimin e tyre me kusht. Gjykata Speciale tha se ju nuk keni shtet që garanton për lirimin e tyre me kusht. Në Prishtinë, si përgjigje, shteti heshti. Heshtja është aprovim. Smira e mllefi mbipeshuan historinë, lirinë”, shton tutje njohësi i rrethanave politike.

