Reagon mësuesi i viteve të 90-ta: Dikush po mendon se ne kemi jetuar si bej
Shkrimi “Mësuesit e viteve të 90-ta punonin për 10 marka në muaj” ka nxitur një debat të gjerë në opinion, ku lexuesit shprehin edhe mospajtime ndërmjet vete sa i përket një kompensimi simbolik që merrnin mësimdhënësit.
Njëkohësisht, redaksia e portalit mediafokus.info lavdërohet që e ka rikthyer në kujtesën tonë kolektive sakrificën e mësimdhënësve të asaj kohe.
Gjithsesi, sado që te kenë pasur vlerë asokohe 10 marka gjermane, sakrifica e mësuesve tanë, deri në flijim, për t`i mbajtur shkollat hapur, meriton respekt të përjetshëm, sepse ishte ndër investimet më të mëdha në shtetin e ardhshëm të Kosovës, që pa arsimin, si shtyllën e tij të parë, zor se do të ekzistonte sot.
Prandaj për mësimdhënësit e viteve të `90-ta duhet të flitet me respekt e pietet nga të gjithë.
Ja si e përshkruan atë kohë, profesori Aliriza Selmani, duke mos u pajtuar me disa komentues:
Hallall ju qoftë disave që po shkruani dha po më bëni me dyshua se ne punëtorët e arsimit në atë kohë paskemi jetuar si bej.
Vetëm se unë e di që me fëmijët e mi në atë kohë kam jetuar me ndihma. Dikush me jepte miell, dikush pak vaj etj.
Fëmijëve të mi nuk kisha mundësi t`ua sigurojë gjërat elementare.
Vajzat e mia të shkëlqyeshme, nuk pata mundësi t`i dërgoj në studime në Prishtinë, kurse dikush sot i dërgon fëmijët e vetë edhe në Harvard.
Djalin e kam dërguar në studime në Prishtinë, por paguante vetëm biletën. Shkonte e vinte pa ngrënë bukë.
Kolegët tanë serbë merrnin rroga në çdo javë dhe i numëronin para syve tanë.
Dihet se ato ishin të hollat e rrogave tona.
Vetëm kaq.
Mendoni pak sikur t`i mbyllnin në atë kohë të gjitha shkollat, që nga fillorja e deri në universitet, çfarë pasoja kishim me pas sot, përfundon komentin e tij profesor Aliriza Selmani./Mediafokus

